Përmbytjet përgjysmuan eksportet e zarzavateve në janar
Eksportet shqiptare të zarzavateve ranë me rreth 46 për qind në janar 2026, duke reflektuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në zonat kryesore bujqësore të vendit.
Rënie e fortë në krahasim me vitin e kaluar
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në janar 2026 u eksportuan 5,367 ton zarzavate, nga 9,936 ton në të njëjtin muaj të vitit 2025. Tkurrja me afro 46 për qind në baza vjetore shënon një nga rëniet më të forta të viteve të fundit për këtë segment.
Janari i vitit të kaluar kishte shënuar nivelin më të lartë të dekadës për këtë muaj, i nxitur nga zgjerimi i prodhimit në sera dhe kërkesa e lartë nga tregjet europiane. Prodhime të stinës si lakra dhe karota kishin gjetur treg të favorshëm, duke çuar në shtim të mbjelljeve në fushë dhe investime të reja.
Goditja nga përmbytjet dhe ekspozimi ndaj riskut klimatik
Përmbytjet e fillimvitit dëmtuan qindra hektarë të mbjella në ultësirën perëndimore, një nga zonat kryesore të prodhimit për eksport. Përveç dëmtimeve direkte të kulturave, u krijuan vështirësi në transport dhe furnizim, çka kufizoi dërgesat drejt tregjeve europiane.
Megjithatë, pavarësisht kësaj goditjeje, niveli i eksporteve në janar 2026 mbetet më i lartë se shumica e viteve para pandemisë, kur eksportet për këtë muaj luhateshin zakonisht midis 1.8 dhe 3.8 mijë tonëve. Rritja e viteve të fundit kishte krijuar një bazë më të fortë prodhimi, por zhvillimet e fundit tregojnë se sektori mbetet i ndjeshëm ndaj rreziqeve klimatike.
Konsolidim i sektorit dhe pasiguri për eksportuesit
Operatorët presin një rikuperim gradual në muajt në vijim, por fillimi i vitit ka rritur pasiguritë për eksportuesit e zarzavateve. Ndërkohë që eksportet bujqësore janë rritur në sasi dhe vlerë gjatë viteve të fundit, prodhimi total në disa segmente po tkurret, duke sinjalizuar një proces konsolidimi.
Bujqësia shqiptare po kalon drejt një modeli me orientim më të fortë nga eksporti. Fermat e vogla dhe të mesme në zonat rurale po përballen me vështirësi për shkak të tkurrjes dhe plakjes së popullsisë, ndërsa po rriten fermat e mëdha blegtorale dhe ato në sera në zona me bujqësi intensive si Fieri dhe Lushnja, me destinacion kryesisht tregjet e huaja.